Manja: Të angazhuar për një drejtësi me standardet evropiane, e modernizojmë me Inteligjencën Artificiale

Politikë | 2 vite më parë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në përfundim të Konferencës Ministeriale të Drejtësisë BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Mal të Zi, shprehu angazhimin e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe gjithëpërfshirës. Konferenca u fokusua në drejtësinë digjitale, integrimin e Inteligjencës Artificiale dhe bashkëpunimin ndërkufitar në fushën penale. Ky event, i organizuar nga presidenca hungareze dhe i mikpritur nga Ministri i Drejtësisë të Malit të Zi, bashkoi Ministrat e Drejtësisë së Ballkanit dhe BE-në.

Ministri Manja theksoi se drejtësia digjitale dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale janë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të drejtësisë, duke siguruar një akses më të lehtë dhe më efikas për qytetarët.

Manja vuri në dukje sfidat e digitalizimit dhe nevojën për një kuadër ligjor të fortë me besimin se këto masa do forcojnë sistemin e drejtësisë dhe rrisin besimin e qytetarëve.

“Me Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës, Drejtësinë Elektronike dhe zhvillimin e kuadrit ligjor për Provat Elektronike, që pritet të hyjë në fuqi në 2026, jemi të angazhuar të ndërtojmë një sistem drejtësie transparent dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh Manja.

Përfundimi me sukses i kësaj Konference Ministeriale përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sistemin e saj dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. Shqipëria vazhdon të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të arritur këto objektiva ambicioze, duke e vendosur vendin në rrugën e modernizimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme