“Antikorrupsioni”, Xhafaj: S’ka ndryshime kushtetuese për SPAK, kërkohen për 140 nene

Kreu i Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, tha se vetë ai apo Komisioni që drejton nuk do të propozojnë ndryshime kushtetuese lidhur me punën e institucioneve të drejtësisë.
Në një konferencë me gazetarët, ai parashtroi një draft paraprak të hartuar nga ekspertët lidhur me ndërhyrjet që duhen bërë në tri shtylla kryesore, si mirëqeverisja, korrupsioni dhe sundimi i ligjit.
“Ndryshime kushtetuese e ligjore: Ndoshta mund te ketë nevojë, sa shohë unë nuk ka te tilla debati publik mund te nxjerre te tilla dhe nga ky draft sa kam parë unë, nuk shoh propozime për ndryshime kushtuese, por shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale, në mirëqeverisje, korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Por kjo mund të ndryshojë me debatin dhe nga ekspertët. Ndryshime kushtuese për drejtësinë nuk ka, përveç atyre që kanë kërkuar vetë institucionet e drejtësisë, nga ne nuk ka të tilla”, tha Xhafaj.
Ky mesazh duket se shkon edhe për opozitën, e cila një ndër arsyet kryesore për mosprezencën e saj në Komisionin ka pasur pikërisht frikën e ndërhyrjes së qeverisë në kompetencat e SPAK-ut.
Xhafaj tha se nga institucionet vetë janë kërkuar ndryshime ligjore në 140 nene, që ndikojnë në punën e tyre. Ai sqaroi se do të ketë konsultime me ekspertë për këto ndryshime.
“Sa i përket ligji për SPAK më ka kërkuar vetë SPAK që të ndryshojnë disa gjëra lidhur me kërkesat që ka pasur vetë ai. Vetë institucionet kanë propozuar 140 nene për t’u ndryshuar për institucionet e drejtësisë, unë vetë nuk kam propozime për ndryshime”, u shpreh Xhafaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




