Kaosi në Kuvend, Gonzato: Djegia e karrigeve, jo mënyra e duhur për të denoncuar mungesën e demokracisë

Politikë | 2 vite më parë

Ambasadori i BE Silvio Gonzato ka reaguar lidhur me bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”.

Gonzato bëri apel që pavarësia e institucioneve të drejtësisë të respektohet ndërsa shtoi se BE do të vazhdojë të asistojë komisionin “Xhafaj” për të bërë të mundur konsolidimin e Reformës në Drejtësi.

“Nuk mendoj që ata ishin kundër komisionit. Ata gjykuan se kontributi i tyre në punën e komisionit duhet të trajtohej ndryshe. Unë mendoj që media nuk e interpretoi drejtë mënyrën dhe mendimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjyqësorit dhe SPAK.

Ajo që është e qartë është fakti që ne duhet të respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo do të thotë që do të nevojitet kontributi I tyre, por do të duhet të konsolidohet Reforma e Drejtësisë e vitit 2016.

Kjo na bëri në që të ndihmonim me ekspertizën tonë për komisionin në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionin, mirëqeverisjen dhe  konsolidimin e Reformës në Drejtësi”, deklaroi ambasadori.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me protestat e opozitës ambasadori u shpreh se ka mënyra të ndryshme për të denoncuar mungesën e demokracisë dhe padyshim që nuk është djegia e karrigeve.

“Opozita ka mënyra të ndryshme për të denoncuar mungesën e demokracisë dhe nuk mendoj që djegia e karrigeve është mënyra më e mirë.”, u shpreh ambasadori.

Ambasadori i BE i bëri deklaratat nga Elbasani ku së bashku me Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja vizituan projektin social “Tradita ime Artizanale” i cili ka në fokus mbështetjen e grave dhe vajzave në nevoje dhe i ndërtuar në një nga pronat e sekuestruara të veprimtarive kriminale.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme