VIDEO- Braçe: Bardhi tentoi të godasë me këmbën e karriges Spiropalin duke thirrur ‘bjerini, bjerini’

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka publikuar një video ku shihet kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke u përpjekur të godasë me këmbën e karriges kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Fatmirësisht goditja nuk ka qenë në shenjë. Në këto pamje dëgjohet edhe zëri i Bardhit që thërret ‘bjerini, bjerini’, zhurma e rëndë e këmbës së karriges që përplaset në mur.
“Kështu ulërinin edhe në 21 janar. Bjerini! Bjerini. Këta kanë vrarë njerëz, kanë marrë jetë! Nuk e kanë për gjë të marrin jetë njerëzish! Sulmi i sotëm, i dhunshëm, ndaj një gruaje që është kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ishte me sende të forta, të rënda, të mprehta në kënde, për pasojë të rrezikshme. Karriget në Kuvend peshojnë mbi 20 kilogramë, këmba e karriges që u gjuajt aty, rrezikon jetën. Kjo ndodhi! Gjithçka është falur deri tani, por jeta nuk falet! Ky që bërtet bjerini-bjerini, duhet të kuptojë se jetën nuk e fal askush! Në anën tjetër, ky është krim i rëndë ndaj e brenda një institucioni kushtetues! Nuk është shpifje, po krim i rëndë ndaj institucionit më të lartë Kushtetues në një republike dhe të zgjedhurve nën një mandat kushtetues. Ka ndodhur edhe më parë dhe është falur! Kam një pyetje për Prokurorinë Speciale në këtë vend: duhet të vritet kush apo të digjet institucioni kushtetues më i lartë në vend që të veprojë ligji?”, shkruan Braçe në një postim në rrjetet sociale, duke publikuar edhe videon nga ky episod.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




