Dënimi i Salianjit, Meta: Hakmarrje për denoncimet e bëra. Çupi: Vendimin s’e dha drejtësia, por qeveria

Politikë | 2 vite më parë

Opozita ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji.

Presidenti i Partisë së lirisë, ilir Meta e konsideroi këtë vendim politik dhe një hakmarrje për denoncimet që ai ka bërë ndaj trafikut të drogës. Meta shtoi se kjo është përpjeke nga qeveria për t’i ndaluar Salianjit kandidimin në zgjedhjet e 2025.

“Nuk ka nevojë që t’i akuzojë ai, pasi gjykatat e kanë të shkruar në ballë që marrin vendime politike dhe kjo është hakmarrje e qartë ndaj Salianjit për denoncimet e bëra kundër trafikut të drogës ku të përfshirë janë eksponentë të qeverisë. Kjo është edhe një përpjekje për t’i ndaluar atij kandidimin në zgjedhjet e ardhme dhe nuk pritej ndonjë surprizë nga një sistem drejtësie kriminal. Drejtësia është bërë partiake. Ka shumë pak akte të pavarura”, tha Meta.

Edhe deputetja demokrate Dhurata Çupi e cilësoi vendimin e Apelit jo të gjykatës, por të marrë nga qeveria që kontrollon drejtësinë në vend.

“Sot është një ditë e keqe. Dënimi i deputetit Ervin Salianji, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së, nuk është një vendim i dhënë nga drejtësia, por nga qeveria që kontrollon segmente të rëndësishme në çdo institucion të drejtësisë!

Hakmarrja politike për luftën e Ervin Salianjit kundër krimit të organizuar të lidhur me qeverinë është një kambanë tjetër alarmi pas arrestimit politik të liderit të opozitës, Sali Berisha! Sot është dita që këtë dënim ta konsiderojmë si heqje e lirisë për secilin prej nesh! Na duhet të reagojmë, sepse nesër do të jetë vonë!”, tha Çupi.

Salianji akuzohet për “kallëzim të rremë” për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës në atë që njihet si çështja “Babale”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme