PD përkujton Azem Hajdarin, kryetarin e parë të demokratëve, që u vra në shtator 1998

Më 12 shtator 1998 u ekzekutua pranë selisë së Partisë Demokratike, lideri i Dhjetorit, Azem Hajdari dhe truproja Besim Çera.
Azem Hajdari kryesoi lëvizjen e studentëve në 1990, e cila u mbështet nga intelektualë dhe qytetarë të Tiranës. Lëvizja solli rrëzimin e sistemit dhe vendosi pluralizmin.
“Pluralizmi politik për ne është një fitore e madhe dhe duke u vendosur pluralizmi politik vendoset edhe alternativa për drejtimin e vendit,” do të shprehej Hajdari atë kohë.
Me vendosjen e pluralizmit u themelua Partia Demokratike, e cila pati si kryetar të parë Azem Hajdarin.
Ai mbajti më pas funksione të larta drejtuese në PD dhe ishte deputet i saj. Ndaj Hajdarit u kryen disa atentate, më i rëndi ai në Kuvend kryer nga deputeti socialist Gafur Mazreku.
Edhe pse 26 vitesh, demokratët e përkujtojnë pranë memorialit në vendin ku u qëllua për vdekje bashkë me truprojën e tij, sikundër zhvilluan homazhet edhe pranë Varrezave të Dëshmorëve ku ai prehet.
“Mesazhi i Azem Hajdarit sot është më adekuat se kurrë. Në atë kohë që ishte regjim politik bolshevik, sot kemi një regjim edhe më të egër,” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.
Për shkak të masës së arrestit në shtëpi, lideri i demokratëve, Sali Berisha, mungoi për herë të parë në ceremonitë përkujtimore për Azem Hajdarin.
Gazetare: Anisa Kadesha
Basha përkujton Hajdarin: “Ndezi shpirtin e një kombi në kërkim të lirisë”
Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, përkujtoi sot heroin e demokracisë, Azem Hajdari në 26-vjetorin e vrasjes.
nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Azemi dha gjithçka për Shqipërinë që ne ëndërrojmë: një vend të lirë, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
“26 vite më parë jeta dhe ëndrrat e tribunit të lirisë Azem Hajdari u prenë në mes. Zemrat tona janë sot plot dhimbje dhe krenari, teksa kujtojmë Azem Hajdarin, heroin e demokracisë shqiptare. I riu që u kthye në lider, lideri që kthye në simbol, simboli që u kthye në frymëzim, duke ndezur shpirtin e një kombi të tërë në kërkim të lirisë”, tha ai.
Basha shkruan se “amaneti i tij është një thirrje për çdo demokrat dhe çdo shqiptar, çdo të ri e të re që e sheh të ardhmen të kërcënuar nga diktatura e korrupsionit – të qëndrojmë, të vazhdojmë përpjekjet për lirinë, për të drejtat tona dhe për një të ardhme më të mirë”.
“Edhe sot ne dhe çdo i ri frymëzohet nga guximi dhe vizioni i pavdekshëm i Azem Hajdarit”, përfundon dedikimin e tij Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




