Salianji, Ramës: Rri aty dhe përballu me mua! Mos u bëj frikacak

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është përplasur me kryeministrin Edi Rama duke i kërkuar këtij të fundit që të përballet me deklaratat që bën ndaj opozitës.
Salianji tha nga karrigia e tij në Kuvend se kreu i qeverisë i shmanget përballjes me opozitën.
Sipas Salianjit ai nuk i është shmangur asnjë procesi gjyqësor me eksponentë të mazhorancës ndryshe nga sa pretendoi kryeministri Rama.
“Po gjeti një raport të paraqitur prej meje për t’u shmangur përballjes me këta, unë e lë mandatin po ndryshe duhet ta bëjë ai. Nga ana tjetër, ministrat e tu të Brendshëm në mënyrë të njëpasnjëshme, njërin që e ke vendosur tani për të drejtuar gajasmë komisionin e reformës për t’i bërë presion SPAK-ut, do ta çojmë ne në SPAK si subjekt të ligjit antimafia. Ministrin tjetër e ke të dënuar kur ti dilje e më thoshe se nuk është e vërtetë ndërkohë që unë hyja mes fushave me kanabis. 600 e kusur gjyqe të gjitha të fituara një për një me eksponentët e tu, dje një të dënuar për prostitucion në bashkinë e Divjakës. Një ish-tjetër”, u shpreh Salianji.
Deputeti i PD-së shtoi se Rama nuk jep llogari para qytetarëve shqiptarë por para eksponentëve të krimit të organizuar ndërsa shtoi se e ka shndërruar Shqipërinë në qendër operacionale të trafikut të drogave të forta.
“Kur del dhe thua të pavërteta rri aty dhe përballu! Mos ik si frikacak sapo thua një gjë, se ti nuk do t’ia dish se je nivel i lartë. Nga kush zgjidhesh ti? Kujt i jep llogari? Jep llogari para eksponentëve të krimit të organizuar, jep llogari para personaliteteve të krimit të organizuar me lidhje ndërkombëtare dhe e ke kthyer Shqipërinë në han me dy porta dhe në qendër operacionale për trafikun e drogave të rënda siç ta thotë Departamenti Amerikan i Shtetit”, theksoi Salianji.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




