Rama: Diskutime për rikthimin e mësuesve pensionistë në shkolla, të japin përvojën e tyre

Kryeministri Edi Rama tha se ai vetë së bashku me ministren e Arsimit dhe atë të Ekonomisë janë duke diskutuar për gjetjen e një hapësire të integrimit të mësuesve pensionistë sërish në mësimdhënie por me orare të reduktuara, ku në fokus do të ketë aspektin e komunikimit me nxënësit e arsimit profesional dhe përgatitjen e tyre drejt vendeve të punës.
Kjo, tha Rama jo vetëm do të ndihmonte ekonominë e tyre, por edhe do të sillte më shpejt një krah pune të kualifikuar.
“Kemi shumë mësues në pension që mund t’i ftojmë që të angazhohen me orar të reduktuar në një përkujdesje të veçantë që ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe me lehtësinë që duhet të ketë në aspektin e komunikimit në aspektin e punës së nxënësve të arsimit profesional në ndërmarrje. Kjo është një domosdoshmëri për t’i dhënë më shpejt krahë të kualifikuar pune. Domosdoshmëria për të bërë të mudnur që sot në kushtet kur ekonomia ka kapacitet gjithëpërfshirës që të përfshijë edhe pensionistët dhe për këtë arsye po punojmë intensivisht mbi të dhënat që të nisim me integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritje ekonomie”, tha Rama.
Kryeministri u ndal te investimet që qeveria shqiptare ka bërë në qytetin e Beratit dhe theksoi rëndësinë e investimit në shkollën “Babë Dudë Karbunara” si pjesë e projektit kombëtar “Shkolla 2030”.
“Bindja ime është se ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030-ën duhet të vendosë flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe Babë Dudë Karbunara dhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane, në të njëjtën radhë, në të njëjtën gjatësi shtize dhe me të njëjtat të drejta me flamujt e tjerë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Dhe natyrisht, për të bërë këtë, na duhet që të kemi një Shqipëri ku funksionon ligji edhe drejtësia, ku ekonomia është gjithëpërfshirëse dhe ku të gjithë kanë pjesën e tyre në rritjen ekonomike, jo thjesht si kontribut, por edhe si përfitim, dhe ku arsimi, shëndetësia, shkenca janë të atilla në nivel ku nuk i ndan më një hendek aq i thellë dhe aq i errët sa ai që i ndante kur ne morëm këtë detyrë”, u shpreh Rama.
Shkolla “Babë Dudë Karbunara” në Berat është një shkollë simbol për qytetin, ku hapi sot dyert me kushte moderne. Kjo është një prej 25 shkollave të reja të ndërtuara në mbarë vendin që mirëpresin sot 10 mijë nxënës dhe mësues.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




