Haklaj: Jemi një sulltanat mesjetar. Alternativa në 2025, Demokratët Euroatlantikë

Politikë | 2 vite më parë

Demokratët Euroatlantikë nuk kanë dyshime që do jenë një alternativë në zgjedhjet e përgjithshme në 2025-ën.

Azgan Haklaj, ish-deputet i PD-së dhe pjesë e strukturave të Demokratëve Euroatlantikë, deklaroi për RTSH 24 se filozofia e tyre është euroatlantizmi, ndryshe nga motoja e PD-së aktuale e drejtuar nga Sali Berisha.

Ai e konsideroi një precedent të rrezikshëm vendimin e Gjykatës për t’i hequr z. Basha kredencialet e kryedemokratit dhe për të njohur grupimin e z. Berisha si PD-në zyrtare.

“Natyrisht që një vendim gjyqësor ka vendosur t’i jap vulën Rithemelimit, me urdhër të znj. [Belinda] Balluku dhe të z. [Edi] Rama, pra Partia Demokratike e Shqipërisë është okupuar. Gjykata e Apelit njeh një grup prej 29 bashkëkryetarësh. Sot PD-ja e Rithemelimit nuk ka kryetar. Z. Berisha nuk është kryetar i saj,” u shpreh ai.

Më 1 qershor, Demokratët Euroatlantikë shpallën doktrinën ekonomike dhe politike, dhe strategjinë si do të shkojnë në zgjedhje.

Megjithëse partia e re pretendon për një filozofi të qartë ajo edhe akuzon kolegët e vjetër se është e varur te ideale që nuk përqafohen më nga shumica dhe Perëndimi.

“Platforma e tyre [PD-ja e z. Berisha] është thjesht berishizmi, lirimi i liderit, qeveria teknike.

Platforma jonë ekonomike është e mirëdetajuar. Filozofia jonë është shtet i fortë, individ i fortë. Së dyti: legjitimiteti i opozitarizmit. Janë krijuar disa parti të reja me aktorë të vjetër. Vota e lirë është e uzurpuar. Cila është njësia e barazisë së votës? Rreth 100 deputetë tani zgjidhen me listë të mbyllur, ndërsa luftojnë 40 deputetë për t’u zgjedhur me listën e hapur. Çfarë demokracie është kjo? Është sulltanat mesjetar. Filozofia e Rithemelimit është sovranizmi,” tha z. Haklaj.

Demokratët Euroatlantikë dhe 25 parti politike kanë themeluar atë që njihet si Harku Opozitar Euroatlantik.

Z. Haklaj tha se ftesa për të gjitha partitë demokratike qëndron akoma.

“Në çdolloj rrethane ne do të jemi në zgjedhjet e 2025-ës, do të ofrojmë alternativën tonë,” deklaroi z. Haklaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme