Balluku pret VanHornin: SHBA mbështetje të pakursyer në fushën e energjisë

Politikë | 2 vite më parë

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka pritur të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn.

Në takimin e zhvilluar me VanHorn, Balluku ka shprehur angazhimin e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Balluku vë në dukje se SHBA i ka dhënë Shqipërisë mbështetje të pakursyer, veçanërisht në sektorin e energjisë.

“Me Nancy VanHorn, të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të 🇺🇸Amerikës në vendin tonë, shprehëm angazhimin e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë, si shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Duke i uruar suksese në misionin e saj në 🇦🇱Shqipëri, e njoha Nancy VanHorn edhe me disa prej projekteve më të rëndësishme që Shqipëria është duke ndërmarrë, e ku SHBA na ka dhënë një mbështetje të pakursyer, veçanërisht në sektorin e energjisë”, shkruan në rrjetin social në Facebook.

Ndërkaq, më herët, e Ngarkuara me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn u prit nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ku diskutuan rreth marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje bashkëpunimin dhe partneritetin e fortë strategjik.

Hoxha falënderoi përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA për mbështetjen e pakursyer ndaj agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, veçanërisht programin ICITAP, me fokus asistencën për Policinë e Shtetit.

Ministri u shpreh se “ishte kënaqësi takimi sot me të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën konfirmuam jo vetëm miqësinë mes dy vendeve, por ritheksuam partneritetin e fortë strategjik”.

Duke falënderuar përfaqësuesen e SHBA për mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, ministri Hoxha theksoi se “e njohu znj. VanHorn me disa prej prioriteteve në detyrën si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar gjithashtu për kontributin e çmuar që ofron programi ICITAP për Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë”.

Në takim është diskutuar edhe për tema të tjera me interes për qytetarët e të dy vendeve.

“Folëm në këtë takim të parë, mbi mundësitë e reja të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit për mirëqenien e qytetarëve tanë”, thotë ministri Hoxha pas takimit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme