SHBA instalon këshilltarin e vet pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ambasada Amerikane: Forcojmë sigurinë

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë firmosur një memorandum për vendosjen e këshilltarit të Planifikimit Strategjik pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Marrëveshja u firmos mes të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA Nancy VanHorn dhe ministrit të Mbrojtjes Pirro Vëngu, të cilët theksuan forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn rikthesoi marrëdhëniet e forta mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.
“Diskutuam mbi kontributet e Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe botëror. Znj. VanHorn falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e saj thelbësore në punën e përbashkët, në koordinim me aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s, për të siguruar të ardhmen e Ukrainës si një komb sovran, i lirë dhe i begatë”, shkruan Ambasada Amerikane në Tiranë.
Edhe ministri Vëngu tha se projektet me impakt strategjik janë në fokus të vazhdueshëm të partneriteti strategjik me SHBA.
“Projektet me impakt strategjik të shumëfishtë për vendin, siç është baza autonome detare e Porto Romanos, rijetëzimi i industrisë ushtarake në vend, si dhe angazhimet politike dhe financiare përkundrejt NATO-s, në fokus të vazhdueshëm të partneriteti tonë strategjik me SHBA, duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit rajonal”, shkruan ministri.
Këshilltari i ri i bashkohet katër këshilltarëve të tjerë amerikanë që ndërveprojnë në baza ditore me stafin civil dhe ushtarak shqiptar, në modernizim, logjistikë, personel e rekrutim si dhe siguri kibernetike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




