PD: Ti hiqet mandati deputetit të PS-së Vullnet Sinaj, 9 kompanitë e tij përfituan para nga buxheti i shtetit

Politikë | 2 vite më parë

Partia Demokratike ka akuzuar të martën deputetin socialist Vullnet Sina, se ka përfituar miliona lekë nga paratë publike, ndërkohë që mban dhe mandatin e deputetit. Nisur nga këto akuza, PD do ti kërkojë Kuvendit që ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese heqjen e mandatit të deputetit Sina.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.”, thuhet në njoftimin për shtyp të Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike.

Sipas PD-së, deputeti Vullnet Sina “i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste”, rezulton, sipas saj, se “është kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.”

“Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekësh, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.”, përfundon njoftimi për shtyp.

/rtsh.al/

 

                                    

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme