Gjikuria: Unë jam fituesi i garës në Himarë. Tavoja i mirëpritur të punojë për mua

Politikë | 2 vite më parë

Kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Petro Gjikuria, shprehu të dielën bindjen se do të jetë ai fituesi i zgjedhjeve të pjesshme në Himarë.

Gjikuria u kandidua nga opozita për të marrë drejtimin e bashkisë jugore, të cilën e falënderoi për mbështetjen, si edhe banorët e Himarës.

“Himarjotët e dhanë verdiktin e tyre. Himarjotët folën. Tani na ka ngelur të numërojmë kutitë. Asnjëri s’do t’i prekë, sepse janë kutitë ku himarjotët votuan për djalin që do të jetë nesër kryetar i bashkisë.

Në këtë fushatë kishte zbritur gjithë administrata shtetërore, e cila me presion dhe kërcënime ka frikësuar një pjesë të himarjotëve. Ka nga ata që nuk u trembën, por erdhën dhe treguan veten e tyre. Pjesëmarrja ishte më e lartë, pothuajse 10 për qind. Kjo tregon se himarjotët nuk e ulin kokën: sa më shumë presion u bën, aq më shumë revoltohen,” deklaroi z. Gjikuria.

Ai tha se do e pranojë verdiktin e qytetarëve, pasi tek “sytë e tyre gjatë fushatës panë diçka që u ka munguar për 12 vjet”.

“Unë do jem fitues. Tavoja po të dojë të punojë për mua është i mirëpritur. Unë jam fituesi i kësaj gare.

Edhe në Amerikë jam marrë me fushata të ndryshme, ndërsa këtu punova për njerëzit e mi. Ishte pak më e kënaqshme me gjithë presionet. Ishte diçka e veçantë që do më ngelet në memorie,” u shpreh z. Gjikuria.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme