Himara zgjedh sot kryetarin, ‘jashtë’ qytetarët me ID të skaduar. Meta: E qëllimshme dhe antikushtetues

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale, duke e quajtur të qëllimshëm dhe antikushtetues privimi nga e drejta e pjesëmarrjes në votime sot në zgjedhjet e pjesshme të Himarës.
”Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me pretekstin e skadimit të dokumenteve të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve”.
Sipas tij, “shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale”.
Sakaq ai thekson se këto akte synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë,ndaj shton ai, të gjithë himariotët të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




