Zgjedhjet në Himarë, Noka: Krim elektoral. Rama s’lejoi të votojnë 6.157 himarjotë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, akuzoi të dielën KQZ-në dhe kryeministrin Edi Rama se qëllimisht penguan mijëra qytetarë në Himarë të votonin për kandidatin e opozitës, Petro Gjikuria.
Në një dalje pak kohë para përfundimit të procesit të pjesshëm zgjedhor, Noka adresoi çështjen e mbi 6 mijë banorëve, të cilët nuk e ushtruan dot të drejtën e votimit pasi mjetet e tyre të identifikimit kishin skaduar.
“Sot himarjotët, por edhe gjithë shqiptarët kanë parë një farsë. Vetë kreu i KQZ-së, [Ilirjan] Celibashi e theksoi me gojën e tij që në Shqipëri, kush voton dhe kush jo e vendos Edi Rama. 6.157 votues të Himarës iu mohua e drejta kushtetuese e votimit. 6.157 do të vendosnin jo në Himarë, por në një qytet të madh fatin e procesit,” u shpreh z. Noka.
Sipas tij, i gjithë aparati shtetëror u mobilizua për të garantuar tjetërsimin e votës në bashkinë jugore që opozita e fitoi vitin e kaluar.
“Këtu janë gjithë administrata, gjithë ministrat, gjithë drejtorët duke dhënë tapi, leje, të drejta shfrytëzimi, duke premtuar leje për hotele e të tjera për të tjetërsuar votat. Në disa zona flitet që vota ka shkuar 500 euro. Kjo masakër zgjedhore e zhvilluar sot ka ndodhur, sepse krimet zgjedhore në Shqipëri janë të amnistuara, sepse SKAP-i i partisë ka vendosur amnistimin zgjedhor që me zhdukjen e dosjeve 184 dhe 339,” tha deputeti demokrat.
Ai gjithashtu kundërshtoi kryetarin e KQZ-së, që fajin për mosvotimin e 6.157 votuesve ia la partive politike.
“Është e gjitha sajesë dhe gënjeshtër. Personalisht unë kam kontaktuar me kreun e KQZ-së, edhe Vangjel Dule, edhe përfaqësuesi ynë Ivi Kaso në KQZ. Zoti Celibashi mes të vërtetës dhe mashtrimit të Edi Ramës zgjodhi mashtrimin. Z. Celibashi më ka komunikuar mua personalisht që Edi Rama nuk ia jep të drejtën e votës 6.157 himarjotëve, sepse nuk do. Komunikimet i kam prej disa ditësh,” deklaroi z. Noka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




