Dule: Në Himarë, kufoma e zgjedhjeve të lira. 6.157 zgjedhësve iu privua votimi

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, hodhi akuza të dielën për procesin zgjedhor në Himarë.

Kandidati për kryebashkiak, Petro Gjikuria, u ftua nga vetë PBDNJ-ja për të përfaqësuar opozitën, por z. Dule tha se gara ndaj tij ka qenë e padrejtë.

“Ditën e sotme është vënë re prania intensive e qytetarëve me precedentë penale, disa subjekt të SPAK-ut, të cilën shfaqen në qendrat e votimit nën shoqërinë e kryetarit të bashkisë së Konispolit dhe Vlorës.

Për të gjitha denoncimet, si nga komisionerët që i përkasin opozitës, edhe nga institucioni i Komisionit Zonal Zgjedhor, Policia e Shtetit nuk ka reaguar në asnjë rast.

Duhet që precedentët e kaluar të na shërbejnë të gjithëve për të nxjerrë mësim. Makinerisë manipulative të z. [Edi] Rama nuk i duhet asnjëherë terren bosh. Ne e kemi fituar votën e qytetarëve të Himarës. Ne do t’ia bëjmë autopsinë këtu në Himarë asaj që e quajmë kufomë të zgjedhjeve të lira në Shqipëri,” u shpreh z. Dule.

Ai akuzoi se qytetarët pro opozitës nuk janë lejuar të votojnë për shkak të letërnjoftimeve apo pasaportave të skaduara.

“Plot 6.157 zgjedhësve u privohet e drejta kushtetuese me mosnxjerrjen e vendimit përkatës nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që u ka kaluar data e skadencës. Sipas të dhënave tona, mbi 600 qytetarë janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar pjesëmarrja në procesin zgjedhor,” tha z. Dule.

Himara shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi kryetari i zgjedhur, Fredi Beleri, nuk e gëzoi dot fitoren në garën e kaluar elektorale si pasojë e arrestit për shkelje zgjedhore.

Sipas z. Dule, eurodeputeti Beleri vazhdon të jetë kryetar për të.

“Himara nesër do të gdhihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i kryetarit të zgjedhur të bashkisë, Fredi Beleri, nuk është ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë. Në KAS duhet gjykuar ankimi i PBDNJ-së dhe ai i z. Beleri,” u shpreh kryetari i PBDNJ-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme