Rama: Në PS ka pasur të paudhë, më godisnin pas shpine! Ja si të bëheni deputetë në 2025-n

Kryesocialisti Edi Rama duke folur në Kongresin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 theksoi se forca politike që ai drejton nuk është pa probleme.
Teksa shpjegoi platformën e Partisë Socialiste “Deputeti që duam”, Rama tha se kush kërkon që të bëhet ligjvënës duhet të bindë njerëzit dhe t’i bashkohet PS-së e cila sipas kryeministrit nuk është defekte.
Për këtë ai solli shembullin se si ka pasur eksponentë politikë brenda Partisë Socialiste që e kanë goditur pas shpine. Por që sipas tij, nuk janë ngjitur dot në shkallët e hierarkisë së Partisë Socialiste.
Rama vuri në dukje se në “pazarin” e tregut politik shqiptar ka shumë parti politike, por PS-ja, sipas kryeministrit “është e vetmja derë ku kush do që të hedhë një hap për t’u angazhuar e ka një mundësi reale”.
“Regjistro emrin dhe shprehe dëshirën tënde dhe mos prit por fillo organizohu që të dalësh në pah duke përdorur mjetet që sugjeron platforma (Deputeti që duam).
Sigurisht që gjatë gjithë kohës ne do të jemi në kontakt. Unë nuk i siguroj dot atyre të cilëve po iu drejtohem se do të bëhen deputetë, sepse i takon secilit të bindë njerëzit, të bëjë ndjekës, të provojë se mund ta përfaqësojë denjësisht këtë parti, duke sjellë vota për skuadrën tonë.
U siguroj se nëse do bëhet deputetë nga viti i ardhshëm, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë. Asnjë! Pazari i politikës ka plot dyqane por Partia Socialiste është e vetmja derë ku kush do që të hedhë një hap për t’u angazhuar e ka një mundësi reale. Jo se Partia Socialiste nuk ka probleme, madje ka nga ata që tjetër thonë dhe tjetër bëjnë pas kurrizit. I kam njohur edhe vetë!
Madje aq të paudhë sa cilindo do të habitej po të thosha që çfarë më thoshin në sy dhe çfarë më bënin pas shpine. Por nuk kanë arritur të ngjiten por edhe të më ngjiten edhe mua këtu, ku sidoqoftë është lart, imagjinoni sa ka më poshtë” , tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




