Hasani me diplomatët e rinjë në Seul: Bashkë mund të bëjmë më shumë për të ardhmen

Politikë | 2 vite më parë

Në ditën e fundit të vizitës në Republikën e Koresë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit mes Akademisë Diplomatike të Shqipërisë dhe asaj të Koresë.

I ftuar për të dhënë leksion në Akademinë Diplomatike Kombëtare të Koresë, Ministri Hasani foli për sfidat e rajonit të Ballkanit Perëndimor, integrimin në BE dhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit në rajon.

“Duke ankoruar këto vende brenda kornizës evropiane, BE-ja synon të stabilizojë në mënyrë të pakthyeshme rajonin dhe të kundërshtojë ndikimin e aktorëve të jashtëm. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Ne besojmë në Ballkanin Perëndimor evropian”, deklaroi ai.

Takimi me të rinjtë e Akademisë Diplomatike në Seul, pasoi takime të ngjashme që Ministri Hasani ka bërë në Spanjë, Hungari etj.

“ Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por bashkë mund të bëjmë më shumë për të ardhmen tonë”, theksoi ministri në takimin me diplomatët koreanë.

Në vizitën e parë në Seul, ministri Hasani u takua me drejtues të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri – Kore e Jugut.

Dy vendet kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike 33 vjet më parë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme