I dënuar për blerje votash në Himarë, Drejtoria e Burgjeve i jep leje Belerit për t’u betuar si eurodeputet

Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në seancën plenare në Parlamentin Europian, ku ai do të betohet si eurodeputet. Burime bëjnë me dije se Beleri do të udhëtojë i pashoqëruar nga efektivë të burgjeve. Leja është miratuar për datat 15- 20 korrik dhe në rast të shkeljes, Beleri do të përballet me vepra të tjera penale.
Ai pritet të fluturojë të hënën në mëngjes për në Athinë duke mbërritur aty në orën 12:30 dhe më pas do të niset për në Strasburg. Beleri u zgjodh si eurodeputet në Greqi më 10 qershor, ndërsa seanca në PE do të mbahet më 16 korrik.
Alfred Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Gjithsesi arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, me 19 vota diferencë ndaj rivalit të tij të PS Jorgo Goro. Por detyrën e kryebashkiakut Beleri nuk arriti ta ushtronte pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak.

Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht në Bashkinë e Himarës do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
Maxhoranca e kryeministrit Rama ka zgjedhur si kandidat, prefektin e deritanishëm të Vlorës Vangjel Tavo, ndërsa opozita e ish kryeministrit Berisha shqiptaro amerikanin Petro Gjikuria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




