Protestuesit nisin grumbullimin në Bulevard, policia ‘blindon’ godinën e Kryeministrisë

Politikë | 2 vite më parë

Opozita ka organizuar një protestë mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, ndërsa mbi 1200 policë dhe forca të sigurisë janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Nuk dihet ende plani nëse do përdoren goma të vjetra, flakadanë dhe molotov si te protesta prej më shumë se 4 muajsh te Bashkia.

Policia nga ana e saj njoftoi edhe masat e marra dhe rrugët që bllokohen, përveç trupave të policisë së Tiranës, janë angazhuar edhe efektivët e Repartit Shqiponja, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Opozita ka bërë thirrje qeverisë së kryesuar nga Edi Rama, për dorëheqje, krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve të ardhshme, me qëllim zgjedhjet e lira dhe ndryshimin e situatës së vendit.

Masat e marra nga Policia e Shtetit

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, njoftoi sot se në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet në orën 20:00, në bulevard dhe përpara Kryeministrisë.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i “Rrugës së Elbasanit” me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme