PBDNJ kandidon Petro Gjikurian për Himarën: “Do kemi portat hapur në Athinë e Uashington”

Petro Gjikuria do të jetë kandidat për kreun e bashkisë së Himarës në zgjedhjet e parakohshme të 4 gushtit.
Kandidatura e tij u propozua të enjten nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONOIA”.
“Le t’u bëhemi të gjithë krahë himarjotëve në këtë mision fisnik për zgjedhje të lira dhe të ndershme që me aq përkushtim, vendosmëri dhe sakrifica i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë për të mbrojtur dinjitetin, të drejtat dhe vullnetin e tyre, por njëherësh edhe pronën që po ua rrëmben autokrati me oligarkët e tij,” theksoi PBDNJ në deklaratën për shtyp, duke akuzuar qeverinë për një “precedent të rrezikshëm” pasi KQZ i hoqi mandatin ish-kryebashkiakut të zgjedhur, Fredi Beleri.
Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan i lindur në Dhërmi, me përvoja në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë. Në reagimin e tij të parë, ai u shpreh se eksperiencën e vet “dëshiron ta vendosë në funksion të vendit, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat”.
“E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre. Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.
E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës,” u shpreh z. Gjikuria në deklaratën për shtyp.
Edhe Partia Socialiste zyrtarizoi kandidatin e vet këtë javë, prefektin aktual të Vlorës, z. Vangjel Tavo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




