Protesta e 11 korrikut, Belind Këlliçi tregon për RTSH skenarin dhe kërkesat e opozitës

Politikë | 2 vite më parë

Protesta e opozitës do të dominohet nga diskutime të personave që i përkasin shoqërisë civile si edhe botës së artit.

RTSH ka mësuar se deri tani është menduar që fjalimet e vetme politike do të jenë ato të Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, fjala e të cilit do të përcillet direkt nga banesa e tij, sikundër e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Belind Këlliçi tha në një intervistë për RTSH-në se protesta do të ketë si kërkesë lirimin e liderit të opozitës, Berishës.

“Kushdo që mund të ketë ndjesi nga më të ndryshmet për Liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha, duhet të kuptojë se sot që flasim jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s, i cili Kryetarin e opozitës prej 191 ditësh e ka në arrest shtëpie si masë politike, pa prova dhe fakte,” tha anëtari i Kryesisë së PD-së Belind Këlliçi.

Gjithashtu opozita do të kërkojë, tha ai, krijimin e një qeverie teknike që do t‘i hapë rrugë zgjedhjeve të lira.

“Kryeministri Edi Rama ka futur duart në të gjitha proceset zgjedhore, ka vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë duke tjetërsuar vullnetin tyre. Ndaj qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira janë kërkesë e panegociueshme e opozitës,” tha Belind Këlliçi në intervistën për RTSH-në.

Protesta sipas tij do të jetë paqësore, por nuk përjashtohen aktet e mosbindjes civile.

“Demokratët përherë kanë organizuar protesta paqësore. Akte të mosbindjes civile ka patur gjithmonë në protesta, megjithatë janë qytetarët ata që do të vendosin. Për një gjë jam i bindur, se do të ketë shumë ngjyra kjo protestë,” tha Këlliçi.

Në protestë do të ketë edhe denoncime të atyre që opozita i ka quajtur mega-afera korruptive, sikundër eshte ajo e incineratorëve apo skandali i Spitalit të Onkologjikut.

Gazetare: Anisa Kadesha

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme