Veliaj për protestat e opozitës: “Vijnë dhe thonë ‘lironi babin’, por Saliun nuk e kam mbyllur unë në Bashki”

Politikë | 2 vite më parë

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun  e Tiranës, Erion Veliaj komentoi protestat e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës për lirimin e Sali Berishës nga arresti në shtëpi. Gjatë takimit me socialistët e Lagjes 13 në kryeqytet, Veliaj tha se qëllimi i vetëm i aksionit të Rithemelimit është lirimi i Sali Berishës.

“Vijnë aty dhe thonë ‘lironi babin’. Po ç’punë kam unë me babanë tuaj? Jam këtu që të shërbej si Kryetar i Bashkisë, jam këtu të mbledh mbeturinat, jam këtu të sigurohem që linja e Kopshtit Zoologjik të funksionojë. Jam këtu që të pastroj liqenin, që ujërat e zeza dhe fekalet të mos shkojnë atje. Jam këtu që të bëj kontratën e çerdhes dhe kopshtit. Jam këtu të ndërtoj 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Unë nuk jam gardiani i babit të tyre. Dhe këta vijnë te bashkia dhe thonë ‘ndaloje ti punën që të dalë babi nga shtëpia’”, tha ai.

Ndryshimi i madh mes PS dhe opozitës, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj, është te qasja që kanë me drejtësinë. Rithemelimi e përdor partinë për të sulmuar drejtësinë, kurse PS ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kësaj drejtësie që u kërkon llogari të gjithëve.

“Si ka mundësi, kur vijnë të bashkia thonë “bravo drejtësia”?! Patjetër që “bravo drejtësia”, se e ka votuar PS, që t’i kërkojë llogari të gjithëve, drejtorëve, ish-drejtorëve, ministrave, ish-ministrave, deputetë e ish-deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetarë bashkie, të gjithëve. Ky është qëndrimi ynë, që kush ka llogari për të dhënë, duhet ta japë. Këta kalojnë tre rrugë më tutje dhe thonë ‘poshtë drejtësia’. Domethënë, drejtësia te “Murat Toptani” qenka e mirë, kurse drejtësia te “Mustafa Matohiti” qenka e keqe. Vijnë aty poshtë bashkisë dhe thonë ‘lironi babin’. Nuk e kam unë Saliun në bashki, ju premtoj. Kjo është një mënyrë për të vazhduar që të djegin goma dhe në fakt këtë kanë bërë tërë jetën”, tha ai. 

Veliaj nënvizoi se sot Tirana e mbushur me turistë jeton një realitet tjetër nga koha kur në krye ishte Sali Berisha.

“Sot sigurisht, janë në opozitë, nuk vrasin dot njerëz siç vrisnin në 21 janar. Babi sot nuk vret dot, babi nuk u thotë dot gardianëve do t’ju mbajë te birucat poshtë Kryeministrisë dhe t’i thotë Prokurores “lavire bulevardi” dhe Presidentit “horr bulevardi”. Sot ata nuk i bëjnë dot ato dëme, sot shqetësojnë turistët vetëm një orë në Tiranë, teksa djegin goma, por janë të njëjtët. Ata pa pushtet dhe shih ç’pengesa bëjnë, për çdo njeri që do të punojë. Imagjino kur kishin pushtet!”, deklaroi Veliaj.

Dy shkolla, çerdhe dhe kopësht i ri në Lagjen 13

Gjatë një takimi me strukturat socialiste të Lagjes 13, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se shumë shpejt dy shkolla të reja, çerdhe dhe kopësht do t’i shtohen komunitetit.

“Kemi ndërtuar 101 çerdhe dhe kopshte, dhe lajmi i mirë që kam për ju sot është se sapo kemi firmosur ndërtesën që do të jetë çerdhja e re në Njësinë 13, kurse në datën 1 korrik firmosim edhe kopshtin e ri. Në këtë rast kemi marrë një vendim tjetër, ndërtesat i kemi marrë të gatshme, për të mos i ndërtuar nga e para në toka që janë në procese gjyqësore. Fillojmë punimet edhe për shkollën e re 9-vjeçare te Parku Botanik, kurse te Parku Olimpik do të kemi gjimnazin, për të mbyllur një herë e mirë këtë histori, për një lagje që i ka dhënë shumë Tiranës dhe PS-së”,  tha Veliaj.

Protestave të ppozitës me molotovë dhe djegie gomash, Veliaj iu përgjigj me bilancin e shkollave që janë ndërtuar në Tiranë. “Ne kemi ndërtuar në Tiranë 42 shkolla të reja. Ata lodhen duke e dëgjuar, por ne kemi ndërtuar më shumë shkolla se sa ç’djegin ata goma”, u shpreh ai.

Veliaj tha se falë investimeve të PS-së, edhe Lagjja 13 është transformuar.

“Kur ti thua Kopshti Botanik, Kopshti Zoologjik, kur ti thua Liqeni i Thatë, kur thua gjithë Unaza, pjesa që na ndan nga Selita deri në Farkë, është bërë sot vërtet realitet i transformuar, që e ka në dorë një parti politike. Mendoni që erdhi Zana e Malit dhe e bëri Liqenin natën? Sot, në fakt, Lagjja 13 është njësia me qarkullimin më të kollajtë – nëse do të shkosh në juglindje merr për nga Lundra, nëse do të shkosh për Durrës, për Veri ose Jug të Shqipërisë, merr për nga Astiri, nga Selita”, shtoi ai.

Pavarësisht pengesave, teksa renditi listën e investimeve në këtë njësi, Veliaj tha se ia kanë vlejtur të gjitha betejat.

“Janë të njëjtët njerëz, jo si metaforë dhe parti, por edhe si fytyra; janë të njëjtët njerëz që ishin te Bulevardi – ju kujtohet, kishin vënë atë teneqen aty dhe digjnin goma, që të mos zhvillohej bulevardi. Sot kemi një Tiranë që po rritet e po rritet dhe ka nevojë ulëritëse ta mbajë këtë ritëm. Dhe ti shikon që ata djegin ende goma në 2024”, deklaroi Veliaj. 

Ai shprehu bindjen se edhe në 2025, PS do të votohet si forcë e parë për të çuar përpara punët e nisura.

“Sot jetojmë në ditët më të mira të vendit dhe këto punë i bën një parti që mblidhet, mendon, propozon, premton, votohet, mban premtimet, votohet përsëri, bën prapë punë, votohet përsëri. Përsëri do të votohet e do të fitojë në 2025 nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, me këtë pasion, nëse do të vazhdojmë të jemi të fortë të mbajmë njëri-tjetrin, si një familje. Ata thonë ‘lironi babin’, se për ata partia është qëllim në vetvete”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme