Basha: Berisha bëri pazar me Ramën për vulën për t’u mbrojtur nga drejtësia, SHBA e Britania

Lulzim Basha akuzoi të dielën Sali Berishën se ka bërë pazar me Edi Ramën, që në këmbim të vulës ta lerë atë në pushtet. Reagimi i Bashës në rrjetet sociale erdhi pas deklaratave të Berishës, se Lulzim Basha e ka të mbyllur derën në PD, ndërsa deputetët e tjerë mund të kthehen dhe dera për ta është e hapur.
Por, sipas Bashës, tashmë shihet qartë se Sali Berishës i ka mbetur vula në dorë dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm.
“Pazari me Ramën për t’i lënë atij pushtetin, është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di se vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës,” shkruan Basha.
Sipas tij, Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas, si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, dhe në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin “që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë”.
“Prandaj dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjëve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige. Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim,” mbyll postimin Basha, i cili me këtë rast publikon edhe një foto të Berishës dhe Ramës në Kuvend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




