Ndarja nga jeta e priftit arbëresh, Begaj shpreh ngushëllimet: Kombi shqiptar në zi, humbi një ikonë

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të At Antonio Bellusci, priftit arbëresh të Frasnitas në Arbërinë e Kalabrisë, misionar, intelektual dhe atdhetar i devotshëm.

Kreu i shtetit i përcolli një telegram ngushëllimi ipeshkvit të Eparkisë së Lungros, Shkëlqesisë së Tij, Imzot Donato Oliverio.

“Sot, Eparkia e Lungros, komunitetet arbëreshe dhe i gjithë kombi shqiptar janë në zi për humbjen e ikonës albanologe, gazetar, shkrimtar, pedagog dhe etnolog, At Antonio Bellusci, një mbështetës i jashtëzakonshëm në mbrojtje të trashëgimisë kombëtare” – shkruan, ndër të tjera, Presidenti Begaj në telegramin e ngushëllimit.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi kontributin e At Antonios në njohjen e identitetit arbëresh, nxitjen e zhvillimit kulturor të komuniteteve ku ishte famulltar, si edhe punën kërkimore në dobi të përcjelljes së trashëgimisë kulturore arbëreshe.

“At Antonio Bellusci do të kujtohet përjetë nga secili prej nesh si një përbashkues i arbëreshëve dhe puna e tij nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa jonë”, shkruan Begaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme