Vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën e siglën e PD-së, reagojnë deputetët Çollaku dhe Bano

Politikë | 2 vite më parë

Vendimi i Gjykatës së Apelit, në lidhje me logon dhe vulën e PD-së, duket se ka filluar të pozicionojë edhe palët në varësi të këtij vendimi. Vendimi, në thelb, njeh për kryetar Sali Berishën, duke e bërë edhe pjesën që ai deri dje përfaqësonte informalisht si “Rithemelimi”, të jetë edhe juridikisht edhe përfaqësues i PD-së zyrtare.

Nisur nga ky vendim, edhe deputetë që deri dje mbështetën Lulzim Bashën, tani duket se kanë kthjelltësuar se do të jenë pjesë e PD-së zyrtare. Deputeti i PD-së, Kreshnik Çolllaku nëpërmjet  një postim në rrjetet sociale, ka bërë të qartë se do të mbetet deputet i PD-së zyrtare.

 “Unë jam e do të mbetem deputet i Partisë Demokratike.”, ka shkruar Çollaku.

Mesazhi i tij bën të qartë se do të jetë pjesë dhe përfaqësues i PD-së zyrtare, duke mos e identifikuar veten me individin si drejtues të PD-së, por me vetë subjektin politik.

Në të njëjtën linjë duket se është edhe deputetja e PD-së së qarkut të Fierit, Eralda Bano, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bën të qartë se do të qëndrojë te PD-ja zyrtare.

 Sipas saj, lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike.

 “Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim. Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të pa përçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve. Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.”, ka shkruar deputetja Bano.

 /rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme