PS bojkoton mbledhjen e KKIE, Tabaku: Premton luftë kundër korrupsionit, por pengon llogaridhënien

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian Jorida Tabaku ka reaguar mbi bojkotin e mbledhjes nga ana e mazhorancës. Sipas Tabakut, mazhoranca socialiste ndonëse premton luftë kundër korrupsionit, ka penguar transparencën dhe llogaridhënien.
“Ditën e sotme në KKIE do duhet të raportonte pikërisht Ministria për Administratën dhe Luftën Kundër korrupsionit për punën e saj në raport me kërkesat e Progres Raportit. Fatkeqësisht, mazhoranca socialiste që ndonëse premton luftë kundër korrupsionit dhe angazhimin e saj në procesin e integrimit ka vendosur të bojkotojë këtë mbledhje duke penguar jo vetëm transparencën por edhe llogaridhënien”, u shpreh Tabaku.
Kjo e fundit e cilësoi bojkotin e mazhorancës si tepër zhgënjyes. Ajo deklaroi se opozitë-mazhorancë mund të ndahen në shumë tema, por jo për çështje që lidhen me integrimin e vendit.
Beteja e opozitës, theksoi Tabaku, është një Shqipëri që përqafon demokracinë institucionale duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe transparencën e llogaridhënien mes tyre.
“Lufta kundër korrupsionit, parandalimi i korrupsionit dhe përpjekja për një Shqipëri brenda BE-së nis dhe përfundon në këtë sallë dhe me angazhimin e të zgjedhurve të shqiptarëve nga të gjitha anët politike. Kjo është një betejë që mbështetet nga 93% e shqiptarëve.
Prandaj, i ftoj kolegët e mi socialistë të kuptojnë rëndësinë e këtij procesi dhe të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dhe të bashkohen përtej ndasive politike në këtë përpjekje të përbashkët për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




