Tragjedia në Kamzë nga TikTok-u, Spiropali propozon ashpërsim të ligjeve për dhunën në rrjetet sociale

Politikë | 3 vite më parë

Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje më një ngjarje të rëndë ku një 27-vjeçare në Kamzë, nënë e një vajze 2-vjeçare, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në rrjetet sociale.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë Spiropali, përmes një video- mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ka kërkuar dënim maksimal për personin që dyshohet se ka shkaktuar/nxitur këtë tragjedi.

“Si nënë, si grua, si ministre dhe deputete e Kuvendit, nisur nga këto fenomene traumatike, jam duke ndërmarrë një iniciativë të propozimeve konkrete për dhunën me bazë gjinore, për ndërhyrje në legjislacion në linjë me rekomandimet e GREVIO-s dhe legjislacionin e BE-së. Jam e hapur për çdo sugjerim nga shoqata ose individë, për këtë plagë që shkatërron e merr jetë njerëzish”, komenton Spiropali.

Duke treguar detaje për ngjarjen, ministrja Spiropali thekson se një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë hetimi ka marrë një tjetër kthesë.

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e gruas së re. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh banal TikTok-u, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera. Ky rast tmerrësisht i rëndë, ashtu si rastet e mëparshme të raportuara, apo ato raste që nuk raportohen kurrë dhe vuhen në heshtje, kërkojnë drejtësi”, thekson Spiropali.

Sipas saj, dënimi maksimal i autorit për shkaktim dhe nxitje të aktit të vetëvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë.

“Gjuha e poshtërimit, shantazhit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligj zbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj., kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shantazhit, shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror”, nënvizon Spiropali.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme