Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Tajani mbledh në Romë krerët e diplomacisë së Ballkanit Perëndimor

Krerët e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën (5 shkurt) në kryeqytetin italian për të diskutuar mbi rrugëtimin e gjashtë vendeve ballkanike drejt integrimeve evropiane.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, i cili bëri publik pak ditë më parë këtë takim, u shpreh se aty do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Në këtë takim, që do të mbahet në “Villa Madama” në Romë, do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Takimi ka për qëllim forcimin e koordinimit mbi objektivat dhe prioritetet që do të ndiqen në vitin 2024, në lidhje me integrimin evropian të rajonit të Ballkanit.
Grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” i formuar në qershor 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë, me synimin për të mbajtur vëmendjen e Bashkimit Evropian në rajon, duke promovuar një përshpejtim e procesit të integrimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




