Shqipëria e Italia firmosin njohjen reciproke të pensioneve më 6 shkurt

Politikë | 3 vite më parë

Shqipëria dhe Italia do të firmosin më 6 shkurt njohjen reciproke të pensioneve. Kjo do të bëhet gjatë vizitës zyrtare 2-ditore që ministri i Jashtëm Igli Hasani do të zhvillojë në Itali.

Vizita nis më 5 shkurt, ku pritet që ministri Hasani të firmosë disa marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve. Në axhendën e zbardhur nga Ministria e Jashtme, pritet që më 6 shkurt ministri Hasani të firmosë marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore së bashku me homologun e tij italianë, Antonio Tajani.

“Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona. Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok, në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Dy vendet kanë punuar për një kohë të gjatë për njohjen e pensioneve reciproke, ndërsa dakordësia për marrëveshjen teknike është arritur në korrik të 2022.

Marrëveshja do i shërbejë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali,  por edhe italianëve që punojnë në Shqipëri pasi përmes saj do të mundësohet njohja e kontributeve të tyre për efekt të pensioneve të pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe barrë-lindjet, si dhe sigurimet për papunësinë.

Axhenda e zbardhur

Më 5 shkurt në orën 11:00, ministri Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi di Sant’Agata.

Në orën 16:30 do zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Më 6 shkurt në orën 10:00 ministri Hasani do zhvillojë takim me homologun italian, Antonio Tajani dhe firmosja e marrëveshjes për sigurimet shoqërore,

Në orën 11:00 të dy ministrat do dalin në një deklaratë për mediat.

Në orën 14:30 ministri Hasani do ketë takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme