Kushtetuesja zbardh vendimin, që rrëzoi kërkesën e ‘Rithemelimit’ për ta shpallur të paligjshëm masën arrestit ndaj Berishës

Politikë | 3 vite më parë

Sali Berisha duhej ti drejtohej vetë Gjykatës Kushtetuese, lidhur me pretendimin se masa e arrestit ndaj tij ishte e paligjshme.

Ky është thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është zbardhur të premten, ku argumentohet se përse Kushtetuesja rrëzoi padinë e deputetëve të ‘Rithemelimit’ të PD-së, të cilët kërkonin që të shpallej i paligjshëm masa e arrestit ndaj, Sali Berishës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve të ‘Rithemelimit’ megjithëse është pjesë e pushtetit ligjvënës, ajo nuk mund të veprojë në emër dhe të kompetencave të Kuvendit.

“Deputeti, në cilësinë e individit, gëzon të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar kësaj Gjykate kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave. Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se nëse kërkuesi pretendon se ka një konflikt, në të cilin nuk është palë apo nuk e cenon në ushtrimin e funksioneve të tij, që është në kundërshtim me normat kushtetuese, në këtë rast ai nuk mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet kërkimit të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave midis dy organeve. Mbrojtja e kushtetutshmërisë, si qëllimi final i kontrollit kushtetues, është një e drejtë/detyrë e subjekteve të përcaktuara në dispozitat kushtetuese, në të cilat përcaktohen edhe rastet konkrete kur ata mund të vënë në lëvizje Gjykatën. ”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas vendimit, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se vendimet gjyqësore të kundërshtuara, duke qenë se i drejtohen një deputeti konkret janë ngushtësisht personale, për rrjedhojë kundërshtimi i tyre eventualisht edhe pranë Gjykatës, pas shterimit të mjeteve të zakonshme të ankimit, është në të drejtën e atij individi interesat e të cilit cënohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se kërkesa e paraqitur nga kërkuesi një e pesta e deputetëve, nuk plotëson kriteret ligjore për kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare. Në kushtet kur kërkuesi nuk legjitimohet për pretendimet e tij, Mbledhja e Gjyqtarëve, vlerëson se edhe kërkimi për pezullimin e masave shtrënguese nuk mund të merret në shqyrtim”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme