Berisha nga arresti shtëpiak: Do të luftoj çdo minutë, me të gjitha mjetet, për të rikthyer demokracinë!

Politikë | 3 vite më parë

Vetëm pak orë pasi nisi zbatimin e masës së sigurisë me arrest shtëpie nga GJKKO, ish kryeministri Sali Berisha, i cili udhëheq fraksionin e Rithemelimit në PD, ka reaguar me një status në Facebook. Ai zotohet se do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë në Shqipëri.

“Sot ndodhi ajo që të gjithë e dinim, izolimi dhe heqja e të drejtës së fjalës të liderit të opozitës nga narko-regjimi më mafioz i bastardit të ish-xhelatëve shqiptarë Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, Edi Ramës që është dhe regjimi diktatorial më i korruptuar në Europë dhe më gjerë” shkruan zoti Berisha.

Sipas tij “Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim”. 

Në statusin e tij zoi Berisha shkruan se është dhe do të jetë ai që ka qënë gjithmonë. “Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen” shkruan ai.

Zoti Berisha zotohet se do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar.

Ai vlerëson se përkrah tij “janë shumica e qytetarëve të këtij vendi… ata që duan Shqipërinë janë më shumë se ata që duan thjesht Sali Berishën. 

Kreu i Rithemelimit zotohet dhe fton që “të vazhdojmë me moton “O SOT  O KURRË” betejën tonë pa kthim edhe më të fortë, të vendosur dhe më me pasion e guxim se kurrë më parë”. 

Deklarimi në rrjetet sociale i zotit Berisha vjen  pas dhënies së masës së sigurisë me arrest shtëpie nga GJKKO. Duke nisur nga 30 dhjetori. lideri demokrat do të qëndrojë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore. Sipas vendimit zoti Berisha nuk duhet të largohet nga banesa e tij në rrugën “ Mustafa Matohiti” dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, shkruhet në vendim, kthu saktësohet se ai do të mbikëqyret nga punonjësit e policisë.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme