Zgjedhjet në Serbi, Begaj thirrje shqiptarëve të Preshevës: Votoni masivisht, rrisni përfaqësimin politik

Serbia mban ditën e nesërme zgjedhjet parlamentare dhe lokale në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista, ajo e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.
Referuar këtyre zgjedhjeve, kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë masivisht në këtë proces.
Në mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në jug të Serbisë, Begaj thekson se ky është një moment mjaft i rëndësishëm në përfaqësimin e tyre politik dhe mbrojtjen e të drejtave.
“Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc! Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja”, shkruan Begaj.
Ai nënvizon më tej se për të rritur përfaqësimin politik dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ajo mund të arrihet “vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj”
“Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, përfundon më mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




