Presidenti Begaj me banorët në Peqin: Të nxisim, mbështesim dhe promovojmë produktet vendase

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë në Peqin ku u takua me banorë dhe autoritetet vendore.

Presidenti Begaj duke bashkëbiseduar me banorët vendas u njoh nga afër me nismat e ndërmarra nga pushteti lokal  për lehtësirat e veprimtarisë së bizneseve lokale, si dhe aktivitetet të përditshme të komunitetit.

Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj fermerëve në mënyrë që produktet e tyre bio të kenë të garantuar tregun, ndërsa vlerësoi traditën e prodhuesve që e ruajnë cilësinë.

Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në kompaninë e ndërtimit “Euroteorema” qe operon prej vitesh në Peqin. Ai ishte dhe në një fabrikë të përpunimit vajit të ullirit si dhe mori pjesë në panairin e banorëve të zonës.

“Gjithçka që ju prodhoni mbetet e kërkuar, sidomos në këtë kohë kur njerëzit po bëhen çdo ditë e më të vetëdijshëm për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme. Shoqëria jonë duhet të ndërgjesohet  që të blejë këto prodhime të shëndetshme”, u shpreh Presidenti Begaj ndërsa vlerësoi ruajtjen e traditës familjare dhe lokale  të vërejtur në produkte bujqësore dhe artizanale të ekspozuara në panair.

Presidenti vlerësoi gjithashtu nxënësit e shkollave të Bishqemit për promovimin e produkteve vendase me programet e tyre të edukimit për ushqim të shëndetshëm.

Sipas Presidentit Begaj, modele të tilla suksesi duhet të nxiten dhe përkrahen, dhe për këtë ai garantoi mbështetjen ndaj banorëve, sipërmarrësve dhe drejtuesve bashkiakë jo vetëm në Peqin por në të gjithë vendin.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme