Takim me Stoltenberg dhe liderët e 4 vendeve të NATO, Rama në Maqedoninë e Veriut: Të mbrojmë paqen e brishtë në rajon

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot (22 nëntor) një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani bën me dije se vizita e Ramës vjen në kuadër të takimit informal të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg me 5 vendet anëtare të aleancës nga Europa juglindore.

Kryeministri Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spahic, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic dhe i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të kenë një takim me dyer të mbyllura me Stoltenberg dhe më pas do të zhvillohet edhe një konferencë për shtyp.

Para nisjes së takimit, kryeministri Rama mbajti një fjalë përshëndetëse, ku bëri thirrje që rajoni të fokusohet në mbrojtjen e paqes, që ai e konsideroi të brishtë.

“Dua t’i uroj shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Më vjen shumë mirë që sot mblidhemi këtu, në një moment jo të lehtë për të gjithë, një moment luftërash dhe krizash të rënda që kanë potencialin të rrezikojnë drejtpërdrejtë edhe rajonin tonë, në një moment ku në rajon të gjithë duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur që është një paqe e brishtë, por sidoqoftë një paqe. Duhet të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare”, tha Rama.

Stoltenberg po zhvillon një vizitë 3 ditore në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vendet në proceset demokratike dhe të sigurisë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme