Erion Isai: Më ka goditur anëtari i KZAZ për koalicionin “Bashkë Fitojmë”! Nervozizmi tregon panik

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, njëherazi edhe kandidati socialist, Erion Isai, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar mesnatën e së shtunës, ku ai është dhunuar nga një person. Në një komunikim për mediat, Isai tha se personi që e ka dhunuar ishte anëtar i KZAZ për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, ndërsa ngjarjen e konsideroi të turpshme.
“Më vjen turk që kjo vëmendje vjen jo për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve si normalitet, por për një ngjarje që i ka ikur edhe koha dhe moda, absurditete dhe banalitet që nuk i kanë hije gjithë Shqipërisë. Më vjen keq për incidentin e ndodhur, histori e shëmtuar. Nuk dua të bëhem i viktimizuar, i dhunuar, por ngjarja është e turpshme sa kohë që gara ka qenë qytetare. Nervoziteti tregon panik. Ishte një ngjarje që ndodhi në mes të rrugës nacione, bllokuar fizikisht me makina, personi që identifikova që ushtroi edhe goditjen është anëtar i KZAZ për BF në Kolonjë”, tha ai.
I pyetur në lidhje me akuzat e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ethem Lumani, se po tentonte të blinte vota, Isai tha se ai ka qenë thjeshtë duke konsumuar kafe në një lokal.
“Unë kam pasur kontakt me zonjën e lokalit që më kishte ftuar për një kafe, ndenjëm pak dhe takuam gjithë njerëzit atje. Unë kam të drejtë të konsumoj kohë me të gjithë njerëzit që e shoh të arsyeshme”, deklaroi ai.
Për ngjarjen është vënë në pranga edhe personi që dyshohet se ka goditur Isain, 33-vjeçari Esmerald Kacolli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




