14 Maji, Begaj: Politika retorikë armiqësore në fushatë. Të mos shpërfillë qytetarët si bëri me apelin tim

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka dënuar retorikën politike, të përdorur nga subjekte zgjedhore gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokalet të 14 majit. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij polak në Tiranë, Andrzej Duda, Begaj bëri thirrje për vetëpërmbajtje, teksa tha se palët shpërfillën kërkesën e tij.
“Zgjedhjet janë një mundësi ku qytetarët shprehin vullnetin tyre për mes votës. Zgjedhjet janë tregues i rëndësishëm i maturisë së sistemit tonë demokratik. Zgjedhjet nuk janë të partive, por të qytetarëve. Të gjithë kandidatët, partitë politike duhet të mos i shpërfillin qytetarët. Siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë presidentit, kur bëri thirrje që retorika e përdorur gjatë zgjedhjeve të ishte e qytetarëve dhe të mos ishte armiqësore dhe denigruese, por e vetëpërmbajtur e të kishte përplasje idesh”, tha Begaj.
Ai shtoi se nëse partitë politike vijojnë me të njëjtën retorike “të panevojshme” edhe pas zgjedhjeve dhe cenojnë integritetin e procesit, atëherë përgjegjësia, sipas Presidentit, do të jetë e partive politike dhe institucioneve.
“Nëse retorika e panevojshme e përdorur nga partitë politike vijon edhe pas procesit zgjedhor, ka një cenim të integritetit të këtyre zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia do të jetë e institucioneve dhe e partive”, deklaroi Begaj.
Kreu i shtetit i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, duke e konsideruar “detyrim për veten tonë dhe kombin”. Nga institucionet, Begaj kërkoi angazhim maksimal për mbajtjen e zgjedhjeve transparente, të lira dhe të ndershme.
“Është e rëndësishme të bëj thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, një e drejtë kushtetuese, por edhe detyrim për veten tonë dhe kombin. Administrata zgjedhore ka rëndësi në këtë proces. Çdo institucion dhe faktor duhet të angazhohet që të realizojë zgjedhje transparente të lira dhe të ndershme. Nuk është kusht që na vë BE apo Polonia, por detyrim që e kemi ndaj qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Begaj.
Për kreun e shtetit shqiptar, një proces i rregullt zgjedhor, nënkupton një hap më tepër drejt integrimit të vendit në BE.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



