100-vjetori i KMSH-së, Begaj: Kontribut për pavarësinë e vendit dhe harmoninë me besimet e tjera fetare

Politikë | 4 vite më parë

Në 100-vjetorin e themelimit Komunitetit Mysliman Shqiptar, presidenti i vendit Bajram Begaj ka vlerësuar kontributin e bashkisë islame në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtjen e harmonisë me besimet e tjera fetare në Shqipëri.

“Sot është rasti të rikujtojmë faktin se bashkësitë fetare, ndër to dhe Bashkësia Islame e Shqipërisë janë kontribuese të rëndësishme për Pavarësinë e Shqipërisë dhe gur konsolidues të shtetit Shqiptar.

Në veprimtarinë e tyre, ata u përkujdesën për ruajtjen e kohezionit social me besimet e tjera, të vetëdijshëm se ruajta e harmonisë brenda popullsisë me shumë besime në një shtet të ‘brishtë’, ishte domosdoshmëri jetike për kombin”, është shprehur Begaj.

Begaj vuri në dukje edhe angazhimin e këtij komuniteti në ndihmë të shtresave në nevojë.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i angazhimit të këtij komuniteti, ndër vite, ka qenë ndihma e shtresave në nevojë, si një vepër që i afron më shumë me Zotin.

Rasti emblematik është  ai i zotit Zyber Hallulli, Myfti dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 1913-1914 që hapi strehën vorfnore, e cila edhe sot mban emrin e tij.

Si pjesë integrale e shoqërisë, klerikët, por edhe anëtarët e Komunitetit mysliman të Shqipërisë, kanë dëshmuar përgjegjësi të lartë për fatet e shoqërisë dhe të vendit”, ka theksuar Begaj.

Begaj tha se në këtë përvjetor duhen nderuar edhe klerikët myslimanë që u persekutuan nga regjimi komunist për shkak të besimit.

“Në këtë përvjetor e kemi detyrim moral dhe patriotik, të nderojmë kujtimin  e atyre klerikëve myslimanë, një pjesë prej të cilëve themelues dhe drejtues të këtij institucioni që u persekutuan për shkak të ushtrimit të besimit, një e drejtë themelore njerëzore e mohuar nga regjimi diktatorial.

Klerikët myslimanë shqiptarë si Hafiz Ali Korca, Hafiz Abdullah Zemblaku, Hafiz Kraja, etj ishin qëndrestarë kundër diktaturës komuniste në vendin tonë”, tha presidenti Begaj.

Në 100-vjetorin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishin të pranishëm klerikë të besimeve të tjera fetare në vend si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme