Një ditë me Arlind Qorin, kandidati që sfidon partitë e mëdha në Tiranë

Arlind Qori ka hyrë në fushatë elektorale me synimin të fitojë Bashkinë e Tiranës. Drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë” tregon në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar se qytetarët duhet të besojnë se ndryshimi vjen duke i dhënë fund qeverisjes së partive të vjetra, siç i quan ai.
“Ne hyjmë në garë për një rezultat maksimal. Idetë dhe parimet tona u shkojnë për shtat interesave, të drejtave e nevojave të 95% të qyetarëve të Tiranës. Nuk pretendoj se do të fitojmë 95% të votave por sërish kam besim se do të kemi rezultat të jashtëzakonshëm. Në garë hyhet për të fituar” thotë ai për gazetaren Sonila Agostini.
Pse duhet të votojnë Arlind Qorin, banorët e kryeqytetit kur për Tiranën janë 6 kandidatë
“Për Tiranën ka 6 kandidatë por nuk ka 6 alternativa. E vetmja alternativë e ndershme, serioze me idetë dhe programin e duhur është lëvizja “Bashkë”.
Shkojmë në këmbë përditë nëpër lagjet e Tiranës. Duam të jemi faktori nxitës, katalizatori I pjesëmarrjes dhe përfshirjes së qytetarëve” sqaron ai.
Qori thotë se programi i lëvizjes “Bashkë” do të çlironte Tiranën.
“Ne kemi provuar ndershmërinë dhe seriozitetin tonë. Kemi një program që do ta çlironte Tiranën nga ky uzurpim i shumë pak njerëzve të pasur dhe shumë të pushtetshëm dhe do rikthente shërbimet tek qytetarët. Ne nuk kemi frikë të përballemi me ata që kanë uzurpuar qytetin.
Tirana duhet të ketë në krye të vendit njerëz që janë jo vetëm të drejtë por dhe të guximshëm që do tu thotë horrëve dhe gangsterëve e oligarkëve ndal.”
A ka frikë nga 14 maji?
“Përballë meje kam dy kandidatë që kanë shumë para, media me vete por që njëkohësisht janë nulitete politike e intelektuale. Po të mos ishin nën sqetullën e kryetarëve të tyre, nuk do i vinte re askush.”
Kush i mbron votat e Lëvizjes “Bashkë”?
“Ne jemi parti e re me shumë aktivistë. Në çdo tavolinë numërimi do të kemi më shumë se një aktivistë. Do të vëzhgojë me celular në dorë dhe nuk do të guxojë asnjeri të prekë qoftë dhe një votë tonën. I kemi të gjitha mundësitë ti dokumentojmë shkeljet, padisim shkelësit dhe kërcënojmë shkelësit me ligj. Edhe sikur të marrim 5 vota do të vijojmë të bëjmë të njëjtën punë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




