Zgjedhjet lokale/ Alibeaj në Fushë-Krujë: Berisha do të ekzekutojë PD-në, por do jemi edhe pas 14 majit

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj vijon me takimet në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, teksa është ndalur pasditen e kësaj të diele në Fushë-Krujë. Në fjalën e tij para banorëve, Alibeaj nuk u kursye në akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ku tha se synimi i tij është “të ekzekutojë Partinë Demokratike”.
Sipas Alibeajt, Berishës nuk i intereson fitorja në zgjedhje dhe as demokratët, teksa shtoi se qëllimi i ish-kryeministrit është që t’i përdorë ata për “betejat e tij personale”.
“Po të ishim bashkë ua jap me garanci që më shumë se gjysmën e bashkive do i kishim marrë, demokratët. Dhe vetëm prej përçarjes së tij jemi në këtë situatë. Po si ka mundësi, kur i ofruam dhe alternativën tjetër, për një kandidat të vetëm të demokratëve, por nën siglën e PD e refuzoi. Po si ka mundësi në 3 mars, kur dhe na mbajtën zvarrë një vit e ca me çështjen e gjyqit, përsëri kur i shtriva dorën, po edhe njerëzit që kanë dale nga primaret e dinë fare mirë si kane dalë nga primaret, se veçse primare nuk ishin ato. Ishin primare që nuk u mor vesh se cilët ishin kandidatët, ishin të paracaktuar.
Megjithatë për shkak edhe te keqes së madhe që shqiptarët kane përballë që është Edi Rama e bëmë dhe këtë tolerim duke thënë po. Kjo tregon shumë. Shumë për qëllimin dhe synimin qe ka pasur Berisha. Nuk i intereson fitorja, fare. Nuk i interesojnë shqiptarët, aq më pak demokratët. I intereson vetëm halli personal. Halli si do mbrohet nga non grata dhe ajo se si do mbrohet nga ajo se çfarë drejtësia mund të kryej ndaj tij për shkak se non grata i është dhënë për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë. Dhe jo vetëm nga SHBA por dhe nga Mbretëria e Bashkuar. E pra, synimi i tij është të përdorë PD si bunker, të mblidhet aty e të përdorë njerëzit si mburojë ndaj asaj që SHBA i kane vendosur si faturë. Së dyti të krijojë një opozitë ku të jetë vetëm ai opozitari i vetëm. Të mos ketë askënd tjetër. Mundësisht ta ekzekutojë PD pas këtyre zgjedhjeve”, tha Alibeaj.
Edhe një herë, Alibeaj ka akuzuar Ramën, Berishën dhe Metën se kanë dashur të rrëzojnë partinë demokratike, por sipas tij, nuk ja kanë dal.
“E pra, ka një trini, e kam marrë këtë nga librat e shenjtë. Ka një trini që I është mbivendosur demokratëve dhe Partisë Demokratike. Nuk dihet se kush është dihet ati, nuk dihet se kush është biri, nuk dihet se kush është shpirti i pashenjtë. Megjithatë gjithsecili prej jush edhe mund ta gjej se cili është nga ata të cilët unë jam duke u adresuar. Ati, biri dhe shpirti i pashenjtë, ky trekëndësh të cilat i janë vërsulur Partisë Demokratike dhe duan vetëm ta asgjësojnë atë. Njëri ka kërkuar ta shpopullojë Shqipërinë dhe kjo është plaga më e madhe në fakt që Shqipëria, por dhe kjo bashki, është pikërisht shpopullimi, largimi, dëbimi i shqiptarëve nga vendi I tyre. Tjetri ka 30 e kusur vite që vjedh, e vjedh dhe do ta vjedh akoma. Dhe tjetri është ai që do ta zbraz Partinë Demokratike për të mbushur partinë e vet. E pra, është kjo treshe e cila ka vendosur të ndajë Partinë Demokratike prej një vit e gjysmë, të paktën nga 9 shtatori e këtej, por nuk ia kanë dalë. Nuk ia kanë dalë, e kjo është ndoshta fitorja më historike, jo vetëm e Partisë Demokratike, jo vetëm e demokratëve, por e gjithë Shqipërisë. Partia Demokratike është, Partia Demokratike do të jetë, Partia Demokratike konkurron në 14 maj e do të vazhdojë të jetë edhe pas 14 majit”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



