Berisha: Rama ka fshehur në offshore 200 mln euro

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë se ka të fshehura 200 mln euro në llogari bankare off-shore.
Sipas Berishës, ishte një raport i OSBE-së që e konstatonte këtë sapo Edi Rama kishte marrë detyrën e kryeministrit.
“Kur filloi detyrën si kryeministër, OSBE i tha Edi Ramës se ke të fshehura 200 mln euro në kontot ofshore. Më shifër me raport. Edi Rama kurrë nuk guxoi ta kundërshtoi as ta hedhë në gjyq.
Se çdo njeri po të të thonë një gjë që ti se ke, atëherë ti ke dy rrugë.
E para ta mohosh, e dyta ta hedhësh në gjyq. Ti thuash hajde e provoje këtu në sallën e gjyqit, shpifjen që ke bërë. Asnjërën as tjetrën, po pse, sepse e kishte ndërmend të vidhte, jo 200-400, 800, 1 miliardë sa të mundej, paratë tuaja”, u shpreh Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Fushë Arrëz, Hil Curri.
Sipas Berishës, shqiptarët janë larguar në këto 8 vite nga Shqipëria për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.
“Ftoj çdo qytetar pavarësisht nga përkatësia partiake, të mendojë pak pse po ikin shqiptarët sikur të kishte rënë kolera në këtë vend. Çfarë po ndodh me ta.
Pse shqiptarët në 8 vite kanë ikur shumë më tepër, dyfishin se sa ukrainasit që jetojnë në breshëritë dhe raketat e agresioni rus. Kaq pak të lidhur qenkan me tokën e tyre, familjet e tyre këta njerëz që marrin dhenë.
Nuk është e vërtetë që janë kaq pak të lidhur me familjet e tyre, me vendin, por ka një të vërtetë tjetër të hidhur.
Sepse 8 vite Edi Rama ngriu rrogat, nuk rriti rrogat. Mirëpo në kushte tregu çmimet rriten. Në kushte tregu forcë që të ndalojë rritjen e çmimeve të mallrave nuk ka, është forcë natyrale. Dhe qeveritë për të mbrojtur qytetarët, rritin dhe rritin e rritin gjithnjë rroga e pensione”, theksoi Berisha.
Berisha shtoi se përgjatë qeverisjes së tij u dyfishuan pensionet dhe rrogat, por sa erdhi Rama në pushtet hoqi shumë familje nga ndihma ekonomike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



