Festa e Pashkës/ Begaj uron besimtarët ortodoksë nga Korça: Ardhtë e mbarë

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, ka zgjedhur qytetin e Korçës për të festuar Pashkën Ortodokse. Begaj vizitoi Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, ndërsa uroi që kjo Pashkë të sjellë mbarësi për të gjithë besimtarët ortodoksë.
“Uroj të gjithë besimtarët ortodoksë Gëzuar Pashkën! Zgjodha të jem në qytetin e Korçës në këtë ditë të shenjtë, sepse ku më shumë se tjetër se qyteti i Korçës kjo festë e shenjtë festohet me këtë gjallëri dhe atmosferë të jashtëzakonshme! Kjo gjë mu konfirmua edhe nga mitropoliti i Korçës! Në orën 00:00 të gjithë besimtarët ortodoksë ndanë me njëri tjetrin flakën, që simbolizoi Ringjalljen e Krishtit, rikthimin e shpresës dhe të dritës! Uroj për të gjithë shqiptarët, kjo Pashkë ardhtë e mbarë, e bardhë dhe drita e Pashkës ndriçoftë mendjen, zemrat dhe jetën e shqiptarëve!“, uroi Begaj.
Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit. Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit. Vezët janë simbol i lindjes se jetës nga guaçka e vdekjes. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit.
Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




