Bejko: Kemi përballë një shumicë abuzuese me pushtetin, dhe një Berishë që, për hallet e tij personale, përçau PD-në

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ka zhvilluar një takim elektoral në njësinë 10 në kryeqytet. Në këtë takim, përveç drejtuesve të degës së PD-së në njësinë 10, ishin të pranishëm edhe deputetët demokratë Kreshnik Çollaku dhe Orjola Pampuri.

Në fjalën e tij, Bejko theksoi se njësia 10 është një ndër zonat qytetare Tiranase që ka mbështetur vazhdimisht Partinë Demokratike gjatë proçeseve zgjedhore.

Sipas tij, koha është sot për një ndarje tërësore nga një trupë pushtet-ushtruese, e njëjta e perceptuar nga publiku dhe e përcaktuar dhe nga partnerët ndërkombëtarë, si abuzive me pushtetin dhe përfaqësimin e besuar  nga demokratët në vite.

“Momente të vështira politike për Partinë Demokratike të Shqipërisë, një ndarje e imponuar për shkak të një agjende thellësisht vetjake të zotit Berisha, i njëjti që mund të identifikohet si shkaku thelbësor i përçarjes së Partisë Demokratike. Koha për një ringritje të Partisë Demokratike, e tilla mund dhe duhet të vijë përmes një bashkërendimi dhe angazhimi të personaliteteve publike, qytetarëve të angazhuar, profesionistëve, individëve me mendim dhe drejtim të qartë politik, prurjeve të reja nga secili fluks shoqëror.“- theksoi Bejko.

Sipas tij, Partia Demokratike mund dhe duhet të ringrihet përmes një platforme të plotë qytetare dhe politike, gjithashtu.

“Përfaqësimi i Partisë Demokratike është nder, përgjegjësi qytetare dhe politike dhe bashkë me ekipin e kandidatëve në Këshillin Bashkiak do të ofrojmë një alternativë serioze për Tiranën, një alternativë angazhuese ku propozohen  dhe përcaktohen zgjidhje, gjithashtu. 14 Maj 2023 është një ditë zgjedhjesh politike dhe administrative, është një ditë për të votuar për fillimin e zgjidhjes së problemeve administrative të qytetit të Tiranës. Në të njëjtën kohë, 14 Maji  mbetet një ditë dhe datë për të ndëshkuar politikën e keqe të zgjidhjeve të munguara, të shërbimeve publike jo thelbësisht të ofruara, shtrenjtësinë e shërbimeve bazike përkatësisht rritja e çmimit të ujit në 40 për qind gjatë vitit të fundit. Tirana është qyteti i të gjithëve dhe e njëjta nuk ka asfare nevojë për retorikë hiperbolizuese politike që thërret revolucione, konflikt, ndasi, përçarje….Tirana e sotme ka nevojë ulëritëse për evolucion, politika të mirëmenduara që inkurajojnë zhvillimin e harmonishëm dhe proporcional, i tilli që do të kthente Tiranën në një qytet të të gjithëve.“- theksoi Bejko.

Ndërsa deputetja Pampuri, nënvizoi se dega 10 është një ndër degët më përfaqësuese në mbështetje të siglës së Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko.

“Kjo është një fushatë aspak e thjeshtë për shkak të secilës dinamikë të zhvilluar brenda familjes sonë politike, por energjia pozitive politike e secilit prej përfaqësuesve të kësaj trupe do ta shndërrojë fushatën e Tiranës në një model të qytetarisë dhe besimit të përcjellë për një qytet ndryshe.“- tha Pampuri.

Sipas saj, Tirana nuk ka nevojë për një rotacion bashkiakësh, por për një ndryshim të modelit të drejtimit të qytetit, për një vizion të ndryshëm të zhvillimit të të njëjtit, për një besim dhe shpresë të re që buron nga vullneti i palëkundur për ndryshim.

“Ne do të kërkojmë votën për zotin Roland Bejko, një kandidat i shkëlqyer, njeri profesionist, qytetar i angazhuar, politikan konsistent, menaxheri profesionist i “Tiranës së nesërme”, i një Tirane të ndryshme dhe përfshirëse për secilën zonë të së njëjtës dhe secilin qytetar. Roland Bejko do të drejtojë Tiranën e mundësive të barabarta dhe të meritokracisë, Tiranën e vlerave historike dhe qytetare, Tiranën e jetueshme që do të marrë frymë lirisht nga secila kapje dhe keqqeverisje. Për  Tiranën që do të jetë shtëpia e të gjithëve.”- tha ajo.

Ndërsa deputeti Çollaku, pasi theksoi faktin se ka patur kënaqësinë të jetë në secilin takim të mbajtur në mbështetje të kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko, ka vërejtur besim për të vijuar përpara në një fushatë të pazakontë për Partinë Demokratike, një fushatë e pabarabartë në shumë dimensione në raport me garuesit.

“Ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në secilin nivel hierarkik politik, kemi avantazhin e madh të së drejtës dhe të vërtetës sonë politike në mbrojtje të përfaqësimit politik të siglës së Partisë Demokratike në Tiranë, kemi avantazhin e madh politik të qëndresës politike në mbrojtje të vlerave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua dhe secili prej Jush vijon ti ndjekë pa hezitim dhe me një bindje të thellë njerëzore dhe politike, gjithashtu. Ne, përmes vendimit mbi kandidimin e një përfaqësuesi, përkatësisht Roland Bejkos në siglën e Partisë Demokratike, dëshmuam përgjegjësi politike dhe qytetare jo vetëm për përkatësinë politike të së djathtës, por gjithashtu për qytetin e Tiranës që ka nevojë jetike për ndryshim“- tha Çollaku.

Sipas tij, Bejko përfaqëson figurën qytetare, profesionale dhe njëkohësisht politike, zëri i qytetarëve për ndryshim, zëri i një Tirane që nuk flet dot për shkak të secilës hapësirë të kufizuar nga segmentet e pushtetit.

“Ndryshimi në Tiranë duhet të jetë i pakompromis dhe i njëjti mund të jetësohet përmes karakterit të pakompromis të Roland Bejkos në funksion të betejës së vazhdueshme me padrejtësinë. Partia Demokratike dhe Roland Bejko janë një alternativë politike dhe qytetare për një frymëmarrje të merituar në Tiranën e nesërme.“- theksoi Çollaku.

Ndërsa Enriketa Papa, drejtuese e listës për Këshillin Bashkiak, PD Tiranë, nënvizoi se vota për logon politike të Partisë Demokratike nuk është thjeshtë një votë për një përkatësi të së djathtës, por një votë që do të shndërrohet në përfaqësim në Këshillin Bashkiak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme