Koalicioni “Bashë Fitojmë” çel fushatën, Këlliçi: Transport urban falas në Tiranë! Jo më financim për inceneratorin imagjinar

Nga stadiumi “Air Albania”, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” çeli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, renditi premtimet e tij, duke vënë theksin veçanërisht te transporti urban falas. Sipas Këlliçit, ky është një premtim që mund të arrihet, pasi transporti urban i kushton bashkisë vetëm 6.8% të buxhetit. Po ashtu, Këlliçi shtoi se në rast se do të fitojë këtë garë elektorale, ai do të ndërpresë financimin për inceneratorin e Tiranës, që e konsideroi “imagjinar”.
“Ne do punojmë duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirës. Unë nuk do të lejoj më në Tiranë të ketë diferencime. Banorë të Tiranës, kudo të banoni, ju do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime. Do ndërtojmë kopshte e çerdhe aty ku nuk ka. Policia Bashkiake nuk do të ketë më funksion gjobvënien ndaj qytetarëve. Bashkia e Tiranës do reflektojë gatishmërinë për të ndihmuar këdo që troket në derë. 200 mijë banorë që udhëtojnë çdo ditë me urban, nuk do paguajnë më. Autobusi do të jetë pa pagesë, kushton vetëm 6.8% të buxhetit të Bashkisë Tiranë. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht. Tirana nuk do ketë dallim nga 250 qytetet në botë që ofrojnë transport publik falas pa pagesë”, tha Këlliçi.
Po ashtu Këlliçi u shpreh se do të ketë 30% më shumë vende parkimi pa pagesë dhe se do të ndërtojë dy tunele në sheshin “Skënderbej” për të lehtësuar qarkullimin në qendër të Tiranës.
“Tirana do të ketë 30% më shumë vende parkimi pa pagesë. Do ulim ndotjen e madhe që kemi çdo ditë. Uji është problemi më i madh që kemi, vjen me orar të kufizuar dhe nuk plotëson standardet për konsum. Objektivi im është heqja e depozitave mbi tarraca”, deklaroi Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



