14 maji/ Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çel fushatën elektorale, Meta: T’i japim fund monizmit në pushtetin vendor

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale këtë të shtunë (15 prill) në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Me sloganin “Ndryshimi fillon nga duart e tua”, përkrahësit e kreut të PL-së, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha u mblodhën në stadium.
Në çelje të fushatës u bë fillimisht një prezantim i të gjithë kandidatëve për kryebashkiake në 61 bashkitë e vendit, ndërsa më pas u prezantua edhe një insert ku tregohej historiku i Partisë Demokratike.
Kandidatët për kryebashkiakë të koalicionit mbajnë secili fjalën e tyre, duke edhe renditur premtimet përkatëse, ndërsa në përfundim të tyre foli kreu i PL-së, Ilir Meta.
Teksa ftoi qytetarët që të votojnë kandidatët e koalicionit “Bashë Fitojmë”, Meta akuzoi për monizëm në pushtetin vendor. Edhe njëherë ai e konsideroi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si regjim, ndërsa tha se me 14 maj “do të vijë ndryshimi”.
“T’i japim fund monizmit në pushtetin vendor. Kandidiatët tanë janë më legjitimët. Këta kandidatë nuk kanë rivalë, por kanë një regjim të kalbur në themelet e tij që do vetëm një të shtyrë me votën tuaj e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Votoni më 14 maj për këtë ndryshim. Kandidatët e tyre po i bëjnë shërbimet e fundit një regjimi, koha e të cilit ka përfunduar. Të vlerësojmë fuqinë tonë në demokraci dhe kjo është vota, vetëm ajo bën ndryshim dhe do çeli perspektivë të re përgjithmonë. Ndaj të shkojmë të gjithë të votojmë për fitoren e këtyre kandidatëve të mrekullueshëm dhe gjeografia e fitores sonë do jetë e jashtëzakonshme. Kandidatët tanë për këshillat bashkiake jo vetëm do të jenë transparente si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit, por do i kontrollojnë kryebashkiakët. Ne kemi zgjedhur personalitet që kanë qenë të përkushtuar për kauzat më të mëdha në mbrojtje të qyteteve tona. T’i japim sovranit të drejtën e referendumit”, tha Meta.
Pjesë e këtij koalicioni zyrtarisht janë tre partia, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia për të Bashkimi për të Drejtave të Njeriut, ndërsa Berisha dhe Meta kanë firmosur një marrëveshje, ku kandidatë për kryebashkiakë do të garojnë kandidatët e dalë nga primaret.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



