Akuzat se rriti pagat për fushatë, Rama: Analfabetizëm politik, kodi flet kur zgjidhet qeveria, jo zgjedhjet lokale

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si analfabetizëm politik akuzat e opozitës se po rrit pagën minimale për qëllime elektorale në zgjedhjet e 14 majit.
Duke cituar Kodin Zgjedhor, Rama thekson se kjo gjë ndalohet kur janë zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet qeveria e re, dhe nuk bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, ku caktohen kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
“Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimi të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj”, shkruan Rama.
Sipas Kodit Zgjedhor thuhet se “4 muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomik apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a shpërblimeve etj.. përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësive natyrore”.
Nga 1 prilli paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë.

Neni i Kodit Zgjedhor
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



