Dialogu me sipërmarrjen për pagat, Ibrahimaj: Po ndjekim një politikë të qëndrueshme të rritjes së pagave

Jo vetëm në sektorin privat, por politika e rritjes së pagave do të aplikohet edhe në sektorin publik. Kështu deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila u shpreh se është ndërtuar edhe infrastruktura e duhur ekonomike e cila mund ta përballojë rritjen e pagave.
“Ne kemi marrë reformat e duhura, të cilat po japin frytet. Tashmë të ardhurat që qeveria mbledh janë mjaftueshëm më të larta se më parë, me qëllim që të arrijmë në një nivel pagash që më parë nuk mund të përballoheshin dot. Të njëjtën gjë që po bën biznesi, që po rrit dalëngadalë pagat mesatare, atë do të bëjë dhe qeveria. Ajo që duam të bëjmë nëpërmjet kësaj reforme është që të rrisim eficencën dhe efikasitetin jo vetëm të sektorit privat, i cili është duke e bërë me iniciativën e tij, por edhe të sektorit publik dhe duke rritur pagat e sektorit publik sigurisht që ne do të jemi si shtet dhe më konkurrues me sektorin privat, për të tërhequr kapitale dhe kjo do të nxisë edhe pagat e përgjithshme të sektorit privat”, u shpreh Ibrahimaj.
Ndalur te sektori privat, Ibrahimaj pohoi faktin se ende ka sektorë ku informaliteti i pagave është prezent dhe kjo është një ndër arsyet pse qeveria ka nisur fushatën për domosdoshmërinë e rritjes së pagave.
“Mendojmë që ka sektorë specifikë të cilët ende vuajnë nga informaliteti dhe vuajnë ende nga zarfet e dhëna nën dorë punonjësve, të cilët janë të padrejtë. Në këtë moment ne nuk mund të flasim më për zarfe pasi paga është drejtësi për punonjësit, është dinjitet për punonjësit dhe është dhe e ardhmja e punonjësve pasi në fund të fundit ajo do të përkthehet në të ardhmen në pensione dhe kontributi që jepet për pensionet është paga e sotme, ajo që ju merrni sot me pagesë të deklaruar dhe jo nën dorë. Ka dhe shumë sektorë të tjerë të cilët vijojnë të operojnë në këtë formë dhe kjo është arsyeja pse po shkojmë në të gjithë bizneset më të mira që kapërcimin e pagës e kanë bërë përpara se qeveria marrë vendim për të, biznese të cilat nuk kanë patur nevojë që të nxiten nga politikat qeveritare, por e kanë vlerësuar kapitalin njerëzor dhe do vijojnë ta vlerësojnë atë”, tha Ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




