“Bashkë Fitojmë”, Meta shpreh ambicien e PL: Në koalicion fokusohemi te këshillat bashkiakë

Politikë | 4 vite më parë

Ambicien e Partisë së Lirisë për të marrë mazhorancën në Këshillat Bashkiakë, kreu i partisë Ilir Meta e kishte shprehur prej kohës dhe e ka konfirmuar sërish edhe sot gjatë një takimi me kandidatët e saj për këshillin bashkiak të Tiranës.

Meta tha se këshillat bashkiakë do të kthehen ne “parlamente vendore” të qytetarëve dhe nuk do të jenë më zgjidhëse të shqetësimeve të “klientelës së kryebashkiakëve”.

“Nuk është diçka e re koalicioni ynë me Partinë Demokratike sepse është një koalicion i firmosur prej disa muajsh. Ka të bëjë me transformimin e këshillave bashkiakë në parlamente të vërteta vendore ku do të flasin vetë qytetarët nga tribuna e këshillit të bashkisë për problemet që ata ndeshin.

Për padrejtësinë që kanë ndeshur dhe do u jepet zgjedhje shqetësimeve të tyre dhe jo klientelës së kryebashkiakëve dhe qeverisë në largim”, tha Meta.

Duke konfirmuar edhe njëherë koalicionin me Berishën, Meta shuajti edhe zërat se marrëdhënia mes tyre po prishet. Megjithatë Meta shtoi se ka vetëm dy arsye që kjo të ndodh, “nëse shkelet kushtetuta dhe nëse Berisha bashkëpunon me Ramën”.

“Ka fjalë do prishet Berisha me Metën, nuk jam prishur kurrë me njeri për gjëra të tilla si kandidatë apo ministri e pozicione. Për kushtetutën prishem unë, për interesin kombëtar jam prishur, për gjëra të tilla nuk prishem. Me Berishën prishem për dy gjëra, po bashkëpunoi me Edi Ramën, jo me PS-në, po me Ramën që ka mendjen të blejë e të korruptojë njerëz.

Edhe nëse tërhiqet nga firma për referendumin, që ai nuk e bën se i qëndron marrëveshjeve dhe fjalës deri në fund. Kjo nuk është betejë për Metën e Berishën, por për shqiptarët. Koalicioni do jetë fitues sepse ka në qendër shqiptarët”, tha Meta.

Një ditë më parë PL e Ilir Metës, Sali Berisha, PDK e Nard Ndokës dhe PBDNJ e Vangjel Dules dorëzuan zyrtarisht në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa sipas Metës kandidatët do jenë ata të zgjedhur nga primaret e Berishës.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme