KAS rrëzon kërkesën e Berishës, në zgjedhje do regjistrohet PD me kryetar Alibeaj

Politikë | 4 vite më parë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi sot (16 mars) vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, marrë dy ditë më parë dhe e detyron të regjistrojë Partinë Demokratike me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj për zgjedhjet e 14 majit 2023.

Por më parë kjo parti duhet të plotësojë dokumentacionin.

 Vendimi u mor e shumicë votash. Ndërkohë që u rrëzua kërkesa ankimore e Berishës.

“ Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë.
Detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”
lexoi vendimin relatori Koli Bele.

Menjëherë pas vendimit reagoi kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj. Përmes një postimi në rrjete sociale bëri thirrje për bashkimin e demokratëve.

“Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese.
Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës,” shkruan Alibeaj.

Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i PD-së shkruajti se: Qokat politike nuk e kanë të gjatë kur bëhen në kurriz të ligjit. Ilirjan Celibashi është “nongrata” për PD dhe nuk gëzon asnjë besim për administrim të paanshëm, profesional dhe ligjor të zgjedhjeve të 14 Maj. Zvarritja 10 ditore në shkelje të ligjit ka cënuar rëndë zgjedhjet!

Seanca

Më 14 mars Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendoi të mos pranojë regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar zotin Lulzim Basha, si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit me argumentin se nuk ka bazë ligjore pasi deklarata solemne duhej firmosur nga Lulzim Basha. 

Sot KAS mori në shqyrtim kërkesat ankimore të depozituara një ditë më parë nga Berisha dhe Alibeaj për regjistrimin e PD-së por vendosi të rrëzojë kërkesën e Berishës.

Gjatë seancës e cila zgjati mbi dy orë, përfaqësuesit ligjorë të të dyja palëve dhanë argumentet e tyre se përse duheshin regjistruar.

Sipas Indrit Sefës, kryetari i komanduar i PD-së që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës është Enkelejd Alibeaj, ndërsa sipas përfaqësuesve ligjor të Berishës, ky i fundit është kryetar i zgjedhur nga anëtarësia e PD-së.

Me vendimin e sotëm PD duhet të depozitojë në KQZ deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar dhe deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, ku ai angazhohet të refuzojë shit blejrjen e votave dhe financimin nga krimi.

Vendimmarrja e KAS për regjistrimin e PD by Rtsh Faqe on Scribd

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme