“Të dënuar me burg apo në parti”, projektligji i ri: Rastet kur shkarkohen drejtorët e arsimit parauniversitar

Politikë | 4 vite më parë

Midis projektligjeve të miratuara sot në mbledhjen e qeverisë, një ndër to është evidentuar edhe procedura e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të arsimit parauniversitar.

Emërimi

Sipas ndryshimeve të propozuara në këtë projektligj theksohet se “kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar”.

Po sipas këtij projektligji certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor.

Gjithashtu, një nga pikat e rëndësishme të këtij projektligji lidhet me faktin se drejtuesi i institucionit arsimor “nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike”.

Shkarkimi

Përveç procedurave të emërimit, në këtë projektligj parashikohet edhe procedura e shkarkimit të drejtuesit të insitucionit të arsimit parauniversitar dhe rastet kur ndodh një gjë e tillë.

Sipas projektligjit, drejtori i institucionit parauniversitar i arsimit publik shkarkohet apo ulet në detyrë kur “rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij, brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt, brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar”.

Gjithashtu, rastet e shkarkimit të drejtorit parashikohen edhe kur ka një vendim të prerë nga gjykata për një vepër penale të kryer prej tij dhe që dënohet me burg,

“Për drejtorin e IPAP-së pezullohen marrëdhëniet e punës dhe efektet financiare, deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente, në rastet kur: gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale.

Ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale, apo të një vepre penale që dënohet me burgim”, thuhet në projektligj.   

Po në këtë projektligj parashikohet se shkarkimi i drejtorit të arsimit parauniversitar kur ka “organizuar ose ka lejuar gjatë procesit mësimor pjesëmarrjen e mësuesve apo tënxënësve në veprimtari partiake ose ka marrë pjesë në to”.

Pasi konstatohet fakti se drejtori i IPAP-së bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike, drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar i kërkon zyrtarisht institucionit rajonal shkarkimin e drejtorit të IPAP-së nga funksioni që kryen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme